| 09.01.2009 | 10:00 UTC
Këshilli i Sigurimit kërkon vendosjen e armëpushimit në Rripin e Gazës
Pas shumë ditë bisedimesh intensive, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i kërkoi Izraelit dhe Hamasit islamik, vendosjen e menjëhershme të armëpushimit. Për këtë Rezolutë votuan 14 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. SHBA ishte e përmbajtur. Ministrja e Jashtme, Condoleezza Rice, deklaroi: "Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se është e rëndësishme të shikohet se çfarë do të sjellë ndërmjetësimi egjiptian. Rezoluta paraqet mbështetjen e këtyre përpjekjeve dhe për këtë arsye kemi vendosur të mos votojmë kundër."
Këshilli i Sigurimit kërkon që pas vendosjes së armëpushimit, forcat izraelite të tërhiqen në tërësi nga rajonet palestineze. Mirëpo nuk është caktuar ndonjë afat për tërheqjen e tyre. Këshilli i Sigurimit i drejtoi apel bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet për ndërprerjen e kontrabandës me armë në Rripin e Gazës. Ndërkohë që organizatave të ndihmës duhet t'u mundësohet furnizimi pa pengesa i popullatës së atjeshme.
Rreth 780 të vdekur në Rripin e Gazës
Forcat izraelite vazhduan sulmet ndaj objektivave palestineze në Rripin e Gazës edhe gjatë natës së kaluar. Burimet vendase dhe ndërkombëtare njoftojnë për shpërthime në veçanti në pjesët veriore të territoreve palestineze. Gjatë luftës, e cila vazhdon qysh prej13 ditësh, janë vrarë rreth 780 njerëz. Vëzhguesit neutral thonë se shumë prej tyre janë fëmijë dhe gra.
Ministri Steinmeier fillon një mision ndërmjetësimi në Lindjen e Mesme
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, do të nisë sot një mision ndërmjetësimi në Lindjen e Mesme. Me qeveritë e Izraelit dhe të Egjiptit do të bisedoj lidhur me kushtet për ndërprerjen e luftimeve në Rripin e Gazës, deklaroi Steinmeier në Berlin. Është parashikuar një takim edhe me presidentin palestinez Mahmud Abbas. Politikani gjerman socialdemokrat në veçanti u shpreh i brengosur për shkak të gjendjes humanitare në Rripin e Gazës. Gjendja mund të përmirësohet vetëm pas vendosjes së armëpushimit, tha ai.
BE pohon se ka arritur marrëveshje me Rusinë për vazhdimin e furnizimit me gaz
Pas mosmarrëveshjeve të shumta, shtetet evropiane mund të shpresojnë se shumë shpejt do të rifillojë furnizimi me gaz rus. Bashkimi Evropian dhe Rusia ranë dakord për dërgimin e një misioni për kontrollimin e gazësjellësit në Ukrainë, kumtoi kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, i cili është kryesues i radhës i Presidencës së BE-së. Mundësinë e marrëveshjes e konfirmoi edhe drejtori i koncernit rus Gazprom, Alexej Miller.
"Gjendja e krijuar kohët e fundit rreth kalimit të gazit rus përmes territorit të Ukrainës është e padurueshme. Me partnerët evropianë kemi rënë dakord që në stacionet e tranzitit të dërgohen vëzhguesit evropianë. Prandaj jam i bindur se konsumatorët evropianë së shpejti do të furnizohen 100 % me gaz rus", tha Miller.
Furnizimi me gaz u ndëpre në fillim të vitit për shkak të mosmarrëveshjeve me Ukrainën rreth çmimeve.
Gjermania dhe Hungaria ndihmojnë Serbinë me gaz
Gjermania ka vendosur ta ndihmojë Serbinë me gaz, për shkak të gjendjes së rëndë pas ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia. Këtë e bëri të ditur presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, duke shtuar se Gjermania do të eksportojë në Serbi, rreth tre milionë meter kub gaz në ditë. Presidenti serb shpreson se gjendja e rënduar ditët e fundit do të stabilizohet sot. Më parë edhe Hungaria ka konfirmuar se prej sot do të eksportojë gaz në Serbi.
Commerzbank pjesërisht shtetëzohet
Shteti gjerman për shkak të krizës financiare vendosi të ndërhyjë në bankën private Commerzbank. Nga Fondi Federal Financiar u vunë në dispozicion edhe 10 miliardë euro shtesë për të ndihmuar bankën e dytë më të madhe në Gjermani, me qëllim që të mos rrezikohet marrja prej saj e Bankës së Drezdenit. Në këtë mënyrë, aksionet e shtetit në Commerzbank kanë arritur vlerën prej 25 përqind plus një aksion, që i mundëson shtetit ndërhyrjen në marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe në takimet e përgjithshme të Bankës. Ministria e Financave kumtoi se pjesëmarrja e shtetit në një bankë kaq të madhe dëshmon se ai është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon në sektorin e financave. Ndërsa Ministri i Ekonomisë, Michael Gloss tha: "Fakti që Commerzbank ka marrë kapital shtesë, do të thotë se ajo mund t'iu përgjigjet detyrave dhe mund të financojë ekonominë me para dhe kapital."
Kristiandemokratët përgatisin fushatën elektorale
Udhëheqësit e Partisë Kristiandemokrate, CDU, këtë të premte edhe zyrtarisht do të fillojnë përgatitjet për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Në takimin që do të zhvillohet në Erfurt, krerët kristiandemokratë do të miratojnë edhe një katalog masash për paketën e dytë ekonomike. Paketa parashikon më shumë investime në shkolla, infrastrukturë dhe një të ashtuquajtur "Fond Gjerman", për dhënien e kredive për sipërmarrje, si dhe uljen e tatimeve dhe kontributeve për sigurimet shëndetësore. Njëherazi CDU-ja do të deklarohet hapur se pas zgjedhjeve të 27 shtatorit, ajo synon që në nivelin federal të krijojë koalicion qeveritar me liberalët. Më parë kështu është deklaruar edhe partia simotër kristiansociale, CSU. Ndërkohë që liberalët deri tani nuk kanë marrë ndonjë vendim të prerë, për krijimin e koalicioneve pas zgjedhjeve parlamentare.
Burimet amerikane njoftojnë për vrasjen e shefit të "Al Kaidës" në Pakistan
Shefi i rrjetit terrorist "Al Kaida" në Pakistan, Osama el Kini, dhe një prej ndihmësve të tij më të rëndësishëm janë vrarë, pohon një ish-agjent sekret amerikan. Mirëpo në Uashington nuk janë dhënë detajet rreth vrasjes së tyre. Në kohën e festave të fundvitit, burimet pakistaneze kanë njoftuar për vrasjen në zonën kufitare me Afganistanin të tre ekstremistëve të huaj. Dy burrat me prejardhje nga Kenia, akuzoheshin për sulmet terroriste ndaj ambasadës amerikane në Afrikën Lindore, gjatë vitit 1998. Kini konsiderohet edhe si përgjegjësi kryesor për sulmet vitin e kaluar në hotelin Marriott, në Islamabad të Pakistanit, ku u vranë më shumë se 50 vetë.






